Sleepy hollow.

E shkretë është kjo mëhallë e vjetër rrahur moti
mjegullës së saj nuk ia mësoi kush davaritjen
re të rënda varen prej qiellit të qymyrtë,
që mezi presin të shpohen nga prekja
thonj-degëve të pemë-fantazmave lakuriqe.

E braktisën ata që nuk flinin dot
i ikën ata që ecnin në gjumë
iu fikën ata që digjeshin orgazmash
e lanë ata që ëndërronin me sy hapur
iu arratisën ata që sy mbyllur flisnin shumë.

E heshtur është kjo mëhallë e moçme
arnuar kujtimesh nga përgjumja e fundit.
Korbi i vetëm thërret insomniakët të kthehen
e çirret më kot për ata që s’janë më
a ndoshta për një mike të re, një zog tjetër.

Jeta s’merr frymë këtyre anëve
në vend të fëmijëve, lindin shtëllunga mjegulle gri
që nuk ka kush u mëson davaritjen…

©Kozi Nasi