Ora e errët.

Në një orë të errët
ënd’rrat më kot kërkojnë prehje.
Agimi t’i shqyen kapakët e syve,
prag-zgjimin ta gris pa mëshirë;
një iso e mekur prej ditëve të mira
tenton të rrëshqasë buzëve
e t’arratiset ofshamash, ashtu…

Në një orë të errët
ngre sytë përpjetë
e kërkon çka as vetë s’e di.
Ndoshta gjinjtë e paqtë të mëmës
foshnje, si n’at’ shekullin tjetër
prej nga, të pish.

Askush e asgjë s’bëhet dot mëma jote hyjnore
me gjinj të bukur që ushqejnë jetë të qumësht.
Ti pikon mërzinë e premtuar
me lotë që kanë humbur kripën rrugës
mbi të paçadërtat supe.
Qielli s’ia ka ngenë orës tënde të errët,
tallet me ty e të mban iso resh.
Ti i hakmerresh me ligje dhe kuje.

Në një orë të errët
nga shpirti ia beh veç një “ah!” jetime
që supet e paçadërta t’i pushon dridhjesh.
E ti kupton që ora e errët nuk është
aq sa duket e frik’shme.

©Kozi Nasi