Luleborë.

Në udh’kryqin pa semaforë
jetimja e ëndës tënde të dimërt
këput fjolla bore prej qiellit të tymtë
dhe për lule ua shet kalimtarëve të habitur.
Era ia rrëzon dashtazi prej supit të majtë
pëlhurën e hollë të këmishës së mëndafshtë –
aty blerësit mbjellin dy puthje për një lule.
Era ia fryn qiellit puthjet
në shkëmbim të fjollave.
Ajo zëdridhur këndon
“eja, eja, luleborë”.

E kujt je ti? – marr guximin ta pyes.
As e qiellit,
as e erës,
veç e dimrit, – thotë ajo.
Një fjollë e bardhë – një luleborë – dy puthje,
a dëshiron?
Mbi supin e brishtë, lakuriq,
takoj buzët dy herë për pagesë
e turravrap ik’.

Jetimja e ëndës tënde të dimërt,
është ënda ime vetë, mbetur shtat’zënë.
Ajo ende nuk e di,
që unë qysh at’her’
udh’kryqet i urrej.

©Kozi Nasi