Jam unë!

Kalimtarja rastësore që s’e harron,
udhëtarja e përulur, e paprek’shme,
mysafirja e mir’sjellshme tek hani i braktisur,
fshehur në krahun e kundërt të pyllit të trishtuar;
bredharakja joshëse që ta mban mend si të shijon gjaku,
shpirti i paqtë aty vetëm për ty,
rryma e ylbertë që të bën të ndjesh vrullin e jetës,
ku lumenjtë bashkohen e deltat derdhen;
fluturza e rrallë e mërzisë sate
që kthehet gjithmonë
të të ngjyrosë ëndrrat e palindura ende.

Lëre dritaren hapur, i panjohur i bukur
Do vij të të takoj çdo perëndim të portokalltë
dhe një po, një jo agim të purpurt.
Lehtë do trokas,
do fërshëllej për qejf, ashtu,
ngadalë do hyj,
duke thënë jam unë –
jam unë!

©Kozi Nasi