Kur ishe larg…

Këto ditë që ishe larg
muaji më i gjatë u shndrrua vetiu në më të shkurtrin.
Në dimrin çuditërisht të ngrohtë,
dy zogj bore shkapërthyen pendët
e sollën në jetë cicërima të reja ledhatare.
Koha rrodhi siç di ajo:
sekondat u bënë minuta,
minutat u bënë orë,
deri sa përtova të numëroj.
Dielli u zgjua pas çdo agimi
dhe ra të flejë sa herë hëna i këndoi.
Asnjë lule pa dashje nuk çeli
dhe pemët e zhveshura dihatën njësoj lakuriq.
Ujëvarat vazhduan t’i binden gravitetit me urtësi,
të lumtura lindën ylberë udhës së tyre të lëngësht teposhtë.
Gjashtëdhjetë e nëntë yje shpërthyen një dëshirë të re –
çdo gjë shkoi ritmit të jetës së vet,
veç meje…

Nuk derdha as edhe një lot të vyer,
por as nuk pata zemër të këndoj,
më ngushëlloi pelerina e pangjyrë
e një murgu në grevë fjale
dhe u dorëzova para luftës
për të mbajtur mend timbrin e zërit tënd.
Gjithmonë mburreshe që je i paharrueshëm,
por harrove i dashur, që Koha
s’është më shumë se një magjistare e pa cipë
që pa u ndjerë u ngre gracka kujtimeve
dhe vret lehtë e butë si me pambuk.

Këto ditë që ishe larg,
u ula në karrigen tënde të preferuar,
të mendova gjatë
dhe hodha në letër këto rradhë…

©Kozi Nasi