Magjepsje (tek presim…)

Të betohem që të kam takuar në një tjetër jetë!
Në një jetë ku koha nuk lëviz,
ne të dy bëjmë vetëm dashuri
dhe mëshirojmë të tjerët që shkojnë e vijnë.
Por ne ende nuk njihemi!

Bota ku jetoj
është shumë e ngushtë të bëj vend
për të gjithë të dashurit e mi.
Në jetën e përtejme, ta premtoj,
mëkataren do të loz për ty.
Por ne ende nuk njihemi!

Eekzistojmë, ndërkohë,
vargjesh të shkruara shtrembër
dhe kolonash zanore të kënduara keq.
Por ne ende nuk njihemi!

Në një univers paralel,
ne jemi dy të veçantë,
krijuar për njëri-tjetrin enkas
ulur atje, në renë e nëntë
ti, që më bën xheloze me histori ish-esh,
unë, që të ndjell me buzëqeshje;
sy më sy shihemi gjatë
të rrudhur nga mosha e koha bashkë
zjarr’ i çmendur vazhdon e djeg ngadalë.
Pa u lodhur, këtë bëjmë çdo natë,
deri sa çarçafët na grisen
dhe shtrati na thyhet –
ajo kuti e vjetër, e ndryshkur, që na ka përpirë
çdo psherëtimë e ulërimë.
Por ne ende nuk njihemi!

Vite larg, dikush më pat’ thënë,
se do të më ruante
si histori dashurie e tipit “po sikur”
për t’ia rrëfyer një nipi a mbese.
“Sa keq!”, pata menduar, tek e puthja lamtumirë.
Nuk dua që kjo të ndodhë me ne.
në djall të shkojë bota atëherë! –
jo kjo, ku tash frymojmë,
ajo tjetra, që ende s’ka emër,
ajo, me mua dhe ty brenda.
Por ne ende nuk njihemi, apo jo?

©Kozi Nasi