Darka e Shijëshme

a lá Bataille…

Me një pjatë tru zhytur në lëng, në kërthizë të tryezës së bardhë,
më ndollën të vija në darkën e shijëshme.

Me një kupë sysh që i përgjëroheshin tavanit,
ma zgjuan oreksin dhe ma shpupuritën urinë.

Me një gotë të kristaltë, buzë për buzë me verë të kuqe,
ma lagën fytin dhe ma ndezën etjen.

Me një gjuhë të gjatë zjerë fort si dru,
m’i lëpinë fjalët e ma tendosën gojën.

Me një karrige me tri këmbë hekuri,
më hapën vend t’i ulem ngjitur.

Me trupin dirsur, në të djathtën time
i dashuri ngadalë, shpenguar përtypej.

Sa kokë paskësh pasur kjo kafshë magjike?,
më pyeste Simonë, pas çdo gëlltitjeje.

Nuk u nguta t’i përgjigjem.
Në kuçedër zjarrthithëse u ktheva
tek ëndërroja ëmbëlsirën.

©Kozi Nasi