Ritual

Të martat ishin gjithmonë për t’ua pasur frikën: hapat e zhurmshëm tek afroheshin shpejt prej qindra miljesh të lodhura tej; kolla e fortë, mbytëse e duhanxhiut; kambalet me baltë nga rruga e keqe grisur; lëkura e sakatuar kthyer së prapthi, për çorape veshur; këmbët e lodhura që qanin për t’u larë me lotë të ftohtë, të pa kripë në vend të ujit dhe sapunit; era, era e keqe e gojës; gishtat që dridheshin në këmbëz; dora e rëndë që shqiste mishin e gjakosur; klithmat e heshtura për ndihmë, Zoti i pazot që kurrë nuk erdhi! Të mërkurat ishin për të marrë veten, për t’u shëruar. Të enjtet për të reflektuar, për të falur e për ca studim bible me orar të zgjatur. Të premtet ishin për t’u harruar. Të shtunat e...

Përmbledhje

Aq keq e shkela çdo premtim që bëra sa m’u desh ta braktis edhe fjalën. Modelet frymëzyes m’u sëmurën për vdekje; heroit m’i humbi pusulla, më dolën nga qejfi koleksionet me dinosaurë, e m’u desh të shihja një terapist tetë herë në javë për të zbutur varësinë nga jeta. Për fat, këtë vit asgjë s’u thye, kuptohet, as ne të dy. ©Kozi Nasi

Gjurmë

Ijeve të këputura të kujtesës sime gjuha jote rrëshqet pa leje dhe gjysmëhënëza që puqen përkundrejt, lëkurës sime të ngrohtë buzët e tua mbjellin tinëz. Harqeve të mishta të trupit ndjek gjurmët e tua mëngjeseve të zhubravitur, si ky sot – zakon i keq, ngjitur rastësisht, si cigarja. Gjurmët nuk kanë gojë të më flasin për ne. Në heshtje më drejtojnë tek historitë e strukura mes brinjëve – histori luftërash, fitimesh e kapitullimesh. Rrëshqas gishtat mbi të dymbëdhjetat brinjë – ciceronet memece i jepen kollaj prekjes sime. Rrëfenjat e tyre bulëza malli kullojnë mbi çarçafët tharë etjeje për djersë. I dua gjurmët mavi të thithjeve të tua gjakut tim anemik. I dua sa urinë tënde ...

Darka e Shijëshme

a lá Bataille… Me një pjatë tru zhytur në lëng, në kërthizë të tryezës së bardhë, më ndollën të vija në darkën e shijëshme. Me një kupë sysh që i përgjëroheshin tavanit, ma zgjuan oreksin dhe ma shpupuritën urinë. Me një gotë të kristaltë, buzë për buzë me verë të kuqe, ma lagën fytin dhe ma ndezën etjen. Me një gjuhë të gjatë zjerë fort si dru, m’i lëpinë fjalët e ma tendosën gojën. Me një karrige me tri këmbë hekuri, më hapën vend t’i ulem ngjitur. Me trupin dirsur, në të djathtën time i dashuri ngadalë, shpenguar përtypej. Sa kokë paskësh pasur kjo kafshë magjike?, më pyeste Simonë, pas çdo gëlltitjeje. Nuk u nguta t’i përgjigjem. Në kuçedër zjarrthithëse u ktheva tek...

Magjepsje (tek presim…)

Të betohem që të kam takuar në një tjetër jetë! Në një jetë ku koha nuk lëviz, ne të dy bëjmë vetëm dashuri dhe mëshirojmë të tjerët që shkojnë e vijnë. Por ne ende nuk njihemi! Bota ku jetoj është shumë e ngushtë të bëj vend për të gjithë të dashurit e mi. Në jetën e përtejme, ta premtoj, mëkataren do të loz për ty. Por ne ende nuk njihemi! Eekzistojmë, ndërkohë, vargjesh të shkruara shtrembër dhe kolonash zanore të kënduara keq. Por ne ende nuk njihemi! Në një univers paralel, ne jemi dy të veçantë, krijuar për njëri-tjetrin enkas ulur atje, në renë e nëntë ti, që më bën xheloze me histori ish-esh, unë, që të ndjell me buzëqeshje; sy më sy shihemi gjatë të rrudhur nga mosha e koha bashkë zjarr’...

E shpëtuar!

Nëse këto mure do të kishin gojë, do t’ju rrëfenin se si, linda këtu. Me jë emër librash sa për të më dalluar, pothuaj nga kllounët e tjerë identikë të trishtuar. Me të keq ma patën që sa linda e para meje, sime mëje, fluturzës dhe tim eti, ushtarit të vdekjes. Nëse këto mure do të kishin gojë, do t’ju rrëfenin se si, para se të më linin të dilja nga spitali me pretekstin e një difekti lindjeje ma hapën kafkën. Ma hoqën prej andej organin e të menduarit dhe e futën në një kavanoz të shpifur, ta shpëlanin e të ma vinin prap, sigurisht, duke fajësuar pluhurin e kuq që mbulonte çdo pasdrekë parvazin e ballkonit të hapur, që s’shihte kërkund… Për ironi të fatit tim, përtuan të ma kthejnë, ndaj jetova si...

Kur ishe larg…

Këto ditë që ishe larg muaji më i gjatë u shndrrua vetiu në më të shkurtrin. Në dimrin çuditërisht të ngrohtë, dy zogj bore shkapërthyen pendët e sollën në jetë cicërima të reja ledhatare. Koha rrodhi siç di ajo: sekondat u bënë minuta, minutat u bënë orë, deri sa përtova të numëroj. Dielli u zgjua pas çdo agimi dhe ra të flejë sa herë hëna i këndoi. Asnjë lule pa dashje nuk çeli dhe pemët e zhveshura dihatën njësoj lakuriq. Ujëvarat vazhduan t’i binden gravitetit me urtësi, të lumtura lindën ylberë udhës së tyre të lëngësht teposhtë. Gjashtëdhjetë e nëntë yje shpërthyen një dëshirë të re – çdo gjë shkoi ritmit të jetës së vet, veç meje… Nuk derdha as edhe një lot të vyer, por as...

Të të kuptoj ty

Nga dëshira ime e deri tek dëshpërimi shtrihet arrogant talenti yt preçiz dhe i rrallë për të mbjellë ndjesinë se kam bërë gabim, farën e fajit të parehattë, në çdonjërën nga poret e lëkurës sime që përherë të fal. Fermere që nuk jam, ia çova këpucët e tua një këpucari dhe iu luta t’i ri-bënte për masën time. Zanatçi shpirti që ai është, u hodhi një sy historive ndër gishtat e këmbëve të mija dhe më siguroi që kurrë nuk do më nxinin këpucët e një ‘thuaj- filozofi të pashpresë. ©Kozi Nasi

Prill me vonesë

Me dimrin ngecur në fyt, dikur Prilli ia mb’rrin, mashtrues dhe shpresëdhënës si një dëshirë ëndrre, për ngut, si faza e fundit e hënës më të plotë se kurrë, i pa vënë re, si gëzim jetë-shkurtër, pa dashje. Psherëtimën e vetmuar të një të çmenduri fsheh si një skret pandehur të varrosur brenda një shpirti të trazuar, të moçëm. Me duart ngjeshur në krahërorin e tij i rëndoj fort mbi zemrën e ndyrë, gati fikur mbi qepallat e Prillit, mezi arrij t’i pëshpëris, “Hapi sytë, hapi sytë, dhe më fol; ta di psherëtimën që mbron.” ©Kozi Nasi

Të përpiktë

Cdo fund dimri, në kundërshtim me urtësinë popullore, këshillën e preferuar nga të gjithë, dhe raportet ditore të motit nga gra me buzëqeshje fallco në fytyrë, unë mbjell lule në dëborë, pa bujë, nga një në ditë. Nga tërë premtimet që ke dhënë dhe ke shkelur, ti përherë vjen në muajin kur pranvera lind të më çvirgjërosh për t’i dhënë natyrës sinjalin që lulëzimit t’ia nisë. ©Kozi Nasi